Nga 1 janari 2026, rreth 2000 biznese do të dalin në tregun e lirë të energjisë
OSHEE njofton se nga fillimi i vitit të ardhshëm, klientët e lidhur në rrjetin 6 kV do të mund të zgjedhin vetë furnizuesin e energjisë elektrike.
Klientët e tensionit 6 kV në treg të lirë
Tregu i liberalizuar i energjisë elektrike do të zgjerohet më tej në vitin 2026, duke përfshirë edhe subjektet e lidhura në nivelin e tensionit 6 kV. Administratori i Furnizuesit të Tregut të Lirë, pjesë e OSHEE Group, Albi Gjenerali, deklaroi se janë rreth 2300 biznese që do të kalojnë në tregun e lirë të energjisë nga 1 janari i vitit të ardhshëm.
“Në portofolin aktual kemi rreth 4000 klientë në rrjetin 35, 20 dhe 10 kV dhe presim që edhe 2300 klientët e rinj, që dalin në treg të lirë nga 1 janari 2026, të jenë pjesë e portofolit tonë. Pjesa më e madhe e tyre pritet të zgjedhin ofertat tona, pasi ne garantojmë çmim stabël gjatë gjithë vitit të furnizimit”, u shpreh ai.
Përfitime për bizneset dhe për sistemin publik
Sipas Gjeneralit, liberalizimi i tregut ka sjellë përfitime të ndërsjella si për bizneset ashtu edhe për Furnizuesin e Shërbimit Universal, pjesë e OSHEE Group. Ai theksoi se kompanitë që kanë kapacitete teknike dhe financiare tashmë mund të sigurojnë energji me çmime më konkurruese, pa qenë barrë për shërbimin universal të ofruar nga shteti.
“Ka qenë shumë pozitive edhe për barrën publike, sepse këta klientë që mund të sigurojnë energji me çmim konkurrues nuk janë më barrë për shtetin”, shtoi Gjenerali.
Liberalizimi, proces gradual që vijon
Procesi i liberalizimit të tregut të energjisë po vijon në mënyrë graduale. Pas klientëve të lidhur në tensonin 35 kV, në treg të lirë kanë kaluar ata të rrjetit 20 kV dhe më pas konsumatorët në 10 kV, të cilët u shkëputën nga OSHEE që prej 1 janarit të këtij viti. Nga viti 2026, pritet të përfshihen edhe bizneset në rrjetin 6 kV, duke zgjeruar më tej konkurrencën në sektorin energjetik.